Armando Broja është i ftuar në studion e emisionit “Kampionët” në “TV Klan”. Sulmuesi shqiptar ka folur gjerë e gjatë për përvojën e tij në Kampionatin Europian me ekipin kombëtar. Broja ka thënë se kur i mbërriti ftesa e Silvinjos nuk e dinte nëse do të ishte ai sulmuesi kryesor apo jo. Sa i përket ndeshjes me Italinë, lojtari i Chelsea-t ka shpjeguar se atmosfera në stadium ia bëri të pamundur komunikimin me njëri-tjetrin në fushë. Mungesa e aktivizimit e ka lënë të pakënaqur, porn ë gund Broja është shprehur se i respekton zgjedhjet e trajnerit.
“Kur më thirri trajneri nuk e dija nëse do të isha sulmuesi kryesor apo do të më fuste disa minuta. Kemi folur përpara Europianit dhe ishte pozitiv. Por dy sulmuesit e tjerë, Manaj dhe Daku, kanë luajtur më shumë se mua. Manaj ka qenë në formë duke shënuar edhe gola. Trajneri e ka pasur një arsye dhe duhet t’i respektoj zgjedhjet e trajnerit.
Kundër Italisë nuk e besonim që goli do të vinte aq shpejt. Kur u bë goli qendruam shumë prapa në mbrojtje. Nuk e bëmë atë që donim të bënim. Nuk patëm komunikim në fushë. Stadiumi ishte plot me shqiptarë dhe nuk mund të dëgjonim njëri-tjetrin. Ndoshta kanë qenë edhe emocionet në ndeshjen e parë. Nëse do ta ktheja mbrapsht atë ndeshje, do të ishte ndryshe. Normalisht që isha pak i mërzitur që nuk luajta ndaj Kroacisë. Por unë i respektoj zgjedhjet e trajnerit.
Këtë mërzi duhet ta kem si karburant për të bërë më mirë. Por bëmë një lojë shumë të mirë si ekip ndaj Kroacisë. Kishim mundësinë ta fitonim ndeshjen, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Rezultati 2-2 ishte i bukur, por duhet të kishim marrë më shumë. Nëse do të merrnim tre pikët, me Spanjën do të ishte ndryshe, sepse do të na mjaftonte edhe barazimi”, ka deklaruar Armando Broja.