Këto janë pamje direkte nga Florida, e cila ndodhet në mes të një emergjence të madhe, pasi uragani i fuqishëm “Milton” ka filluar të godasë bregun e saj. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët e zonave më të rrezikuara të largohen menjëherë, pasi uragani pritet të shkaktojë dëme të mëdha.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve në SHBA, kjo stuhi e kategorisë së pestë ka potencialin të përfshijë zona të gjera me shira të rrëmbyer dhe erëra të shpejta, të cilat mund të arrijnë deri në 280 kilometra në orë. Një alarm për evakuim ka përfshirë mbi 2 milionë banorë të Floridës, të cilëve u kërkohet të zhvendosen në zona më të sigurta përpara se kushtet të përkeqësohen.
Ndërkohë, meteorologët kanë raportuar se uragani “Milton” mund të shkaktojë përmbytje të rrezikshme, veçanërisht në zonën e Gjirit të Tampa-s, ku priten ngritje të nivelit të detit deri në 5 metra. Stuhia gjithashtu ka mundësi të krijojë tornado të izoluara, duke rritur rrezikun për komunitetet në rajon.
Qeveria amerikane, në bashkëpunim me ekipet e emergjencës, po ndërmerr një nga përpjekjet më të mëdha të evakuimit në historinë e vendit, ndërsa Presidenti Biden u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për sigurinë e tyre.
Ky është uragani i dytë që godet Floridën brenda një periudhe të shkurtër kohore, pasi vetëm dy javë më parë uragani “Helene” shkaktoi shkatërrime të mëdha dhe mbi 200 viktima në disa shtete të Jugut. Meteorologët kanë paralajmëruar se ky sezon uraganesh mund të vazhdojë me aktivitete të forta, duke shtuar frikën për dëme të mëtejshme.
Çfarë është një uragan i kategorisë së pestë?
Uraganët e kategorisë pesë konsiderohen “katastrofike” nga Shoqata Kombëtare e Atmosferës Oqeanike (Noaa). Ata bartin shpejtësi të erës më të madhe se 155 mph (249 km/h) dhe mund të shkaktojnë “dëme shumë të rënda dhe të mëdha”.