Gjermani e frikshme në Europian, shkatërron Skocinë me 5 gola në ndeshjen hapëse

Date:

- Advertisement -

Gjermania është shfaqur e frikshme në ndeshjen hapëse të EURO 2024-s. “Pancerat” kanë shkatërruar Skocinë me shifrat 5-1 në Mynih. Mbrojtja skoceze rezistoi vetëm 10 minuta. Kaq ishte koha që iu nevojit Virtcit për të zhbllokuar rezultatin. Pas 9 minutash ishte Xhamal Musiala ai që dyfishoi rezultatin. Pjesa e parë u mbyll me një tjetër gol të “pancerave”. Këtë herë ishte Havertci ai që e dërgoi topin në rrjetë nga pika e bardhë e penalltisë. Një 11 metërsh që përpos golit të pësuar, e la Skocinë me 10 lojtarë.

Në pjesën e dytë të takimit Gjermania nuk e uli ritmin, teksa ndëshkoi edhe 2 herë të tjera kundërshtarin. Fyllkrugu e festoi me gol aktivizimin në pjesën e dytë, duke e ndalur topin në rrjetë në minutën e 68. Goli i nderit për skocezët u shënua në minutën e 87, megjithëse autori i golit ishte sërish një gjerman. Bëhet fjalë për Rydigerin, i cili aksidentalisht shënoi autogol në portën e tij. Por Gjermania nuk u ndal me kaq. Emre Xhani tundi për herë të 5-të rrjetën në minutën e 93-të, duke vulosur përfundimisht rezultatin e ndeshjes.

Gjermania ka shkëlqyer sot në ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian, duke mposhtur Skocinë me shifrat e thella 5-1. Një nivel të jashtëzakonshëm në këtë përballje e ka shfaqur edhe Toni Krosi. Lojtari 34-vjeçar ishte pikërisht gjeniu që i mungonte Gjermanisë në vitet e fundit.

Krosi ka shfaqur një saktësi mahnitëse. Ish-futbollisti i Realit të Madridit ka dhënë 101 pasime të sakta nga 102 pasime të tentuara gjithsej. Pra, e thënë ndryshe, Toni Kros ka gabuar vetëm një pasim gjatë gjithë kohës që ka qenë në fushë përballë Skocisë. Mjeshtri që do i mungojë pa masë futbollit.

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related