Siguria ushqimore ka marrë një goditje të fortë në javën e fundit, ku me video dhe me foto është dëshmuar se dy kompanitë më të mëdha të tregtimit të miellit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri, ruajnë prodhimet jashtë çdo kushti dhe standardi higjieno sanitar.
Fillimisht ishin denoncimet e qytetarëve se në pakot me miellin “Ola”, kishin gjetur sasi të mëdha krimbash, ndërkohë që më pas edhe më të rënda ishin pamjet në magazinën e kompanisë “Diamond” në Fier, ku minjtë kishin hapur shumë prej pakove, ndërkohë që në këto ambiente ka pasur dhe shpendë të tjerë.
Në rastin e parë, atë të miellit Ola, nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk pati asnjë reagim, edhe pse dëshmitë e qytetarëve ishin të shumta dhe konkrete, ndërkohë që në rastin e dytë u njoftua bllokimi i një sasie prej 52 tonësh miell dhe nënprodukte të kompanisë Diamond. Kompani kjo në pronësi të ish-kryebashkiakut të Vorës, Fiqiri Ismaili. Ndërkohë që mielli “Ola” është nënprodukt i kompanisë Atlas, pronar i të cilës është shtetasi grek, Dimitrios Thomoglou, me drejtor në Shqipëri Dervish Domin.
ZËRI ka tentuar disa forma komunikimi, qoftë përmes telefonit, qoftë përmes email-it me përfaqësuesit e të dyja kompanive, por deri në publikimin e këtij lajmi, asnjë prej tyre nuk ka pasur një përgjigje për konsumatorët, të cilët me të drejtë janë të shqetësuar mbi produktet që konsumojnë.
Heshtja dhe më shqetësuese vjen nga ana e AKU-së, që është dhe Autoriteti që paguhet nga taksat e shqiptarëve, pikërisht për t’u kujdesur për sigurinë e ushqimeve të tyre. Përveç një njoftimi të thatë mbi bllokimin e 52 tonëve miell dhe nënprodukteve të tij, në një magazinë të kompanisë Diamond në Fier, nuk ka pasur asnjë sqarim pse këto kontrolle duhet të nisin pas publikimeve të lajmeve në media.
ZËRI ka kërkuar sqarim nga AKU nëse kemi të bëjmë me raste sporadike të këtyre dy kompanive, apo të tjera magazina janë duke u kontrolluar dhe u mbajtur nën monitorim. Por nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga institucioni që drejtohet nga ish-deputeti i LSI-së Edmond Rrushi.
Po ashtu AKU nuk ka dhënë sqarim edhe mbi një sasi të djathit të bebeve që u sekuestrua javën e kaluar, për shkak se nuk e shënonte në etiketë praninë e vajit të palmës, ndërkohë që i njëjti produkt tregtohet lirshëm në të gjitha marketet e vendit.
Pavarësisht ndryshimeve të shpeshta në radhët e drejtuesve, AKU nuk bind ende që të jetë siguria që i duhet konsumatorëve, të cilët në shumicën e rasteve janë përballë zgjedhjes së të keqes më të vogël. Ola, Diamond… po me kompanitë e tjera të miellit a jemi të sigurtë që nuk ndodh asgjë, dhe nuk duhet të shqetësohemi?
Burimi i lajmit: Zëri.ai