“Do t’ju shkatërroj me Shqipërinë”! Qazim Laçi tregon bisedat me lojtarët e Çekisë: Po i futem në sparkatë në stërvitje, na kanë më shumë frikë se Poloninë

Date:

- Advertisement -

Qazim Laçi është një lojtar simbol te Shqipëria. Në mesin e një futbolli modern ku shpeshherë lojtarët shëtisin fanellat në fushë dhe ruajnë energjitë për ekipin e tyre, Qazim Laçi është shkolla e vjetër e futbollit. E kanë thënë edhe në Çeki kur e shohin te Sparta e Pragës: “Laçi luan sikur të mos ketë një ndeshje tjetër”.

E kot që ta diskutojmë te Kombëtarja, kur adrenalina pushton trupin e mesfushorit. Që në nisje të himnit, me sytë mbyllur, nis të këndojë nga shpirti dhe për një moment duket sikur do të shkojë në luftë dhe jo për të luajtur futboll.

“Sport Ekspres” ka intervistuar lojtarin e Spartës së Pragës që ka përmendur shumë detaje nga ndeshja mes Çekisë dhe Shqipërisë. Bisedat kanë nisur me lojtarët e Spartës që luajnë me Çekinë, madje Qazim Laçi shkon një hap më tej pasi ka filluar sparkatat me mesfushorin e çekëve, Ladislav Krejci, duke u bërë gati për ndeshjen e shtatorit.

Kur e pyesim për super golin e shënuar nga goditja e dënimit ndaj Kopenhagen, Qazim Laçi thotë se është gati që ta sakrifikojë nëse do ta shënonte te Shqipëria. Gjithashtu ka edhe një mesazh të madh për lojtarët shqiptarë: “Mos pyesni kokën, ndonjëherë gabon, pyesni gjithmonë zemrën, ajo nuk gabon kurrë”.

Para këtyre ndeshjeve të shtatorit kemi vënë re një optimizëm te lojtarët e Shqipërisë, në bisedat që po zhvillohen mes tyre. Për ty, duhet të vazhdojmë në këtë linjë apo të jemi me këmbë në tokë?

Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, sigurisht që kemi gjithmonë dëshirë për të fituar, nuk luajmë kurrë për barazim ose humbje. E dini ju, edhe ne si lojtarë që kundër kujt do të luajmë. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, të fokusuar dhe të motivuar për të bërë më të mirën.

Sa herë flasim për Qazim Lacin, të përfytyrojmë në këndimin e himnit me sytë mbyllur. Çfarë të kalon në kokë në ato momente?

Në atë moment nuk mendoj për asgjë. Thjesht dua të përfaqësoj kombin, origjinën time të Dibrës, të përfaqësoj prindërit e mi dhe popullin shqiptar. Kjo është një gjë që shumë lojtarë duhet ta kenë…jo në kokë, por në zemër. Nis nga zemra, jo nga koka. Nis nga zemra sepse koka mendon ndonjëherë edhe ndryshe, por zemra nuk gabon kurrë. Të jesh në 25 lojtarët më të mirë të Shqipërisë është një vlerë shumë e madhe, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time.

Kanë filluar ngacmimet me shokët e ekipit te Sparta e Pragës, me ata lojtarë që janë pjesë e Kombëtares së Çekisë?

Po patjetër ka ngacmime, unë personalisht u thashë: “Do t’ju shkatërroj, në shtëpinë tuaj”. (qesh) Sigurisht që janë batuta, por unë përfaqësoj kombin tim, ata përfaqësojnë kombin e tyre. Për 90 minutat do të harrohet çdo gjë mes nesh. Do të ishte kënaqësi shumë e madhe për ne, si për mua dhe shokët e mi të ekipit, që Shqipëria dhe Cekia të kalojnë të dyja në Europianin e Gjermanisë.

Gjithashtu kemi vënë re se në mediat çeke, e ka një farë nënvlerësimi për Shqipërinë. Fakti që kanë mundur Poloninë bën që Shqipëria të merret si një ndeshje e fituar pa hyrë në fushë. E ke vënë re në bisedat me lojtarët kundërshtarë?

Unë kam folur me lojtarët e ekipit tim dhe të Slavias, se jetoj në Pragë. Ata thonë se kundër Shqipërisë do të jetë më e vështirë se me Poloninë. Më kanë thënë që për ta Shqipëria është më e fort se Polonia, kështu e mendojnë. Kanë parë emrat e lojtarëve dhe ekipet ku luajmë ne, nuk e kanë marrë aq lehtë, ua siguroj. Ata e mendojnë si ndeshje më të vështirë kundër Polonisë.

E ka një ndjesi Qazim Laci se me sa pikë do të dalim në ndeshjet e shtatorit, pa i hyrë deklaratave të zakonshme për të parë ndeshjen e radhës?

Është koha shumë e shkurtër mes ndeshjeve. Kemi vetëm 8 ditë për të punuar ne lojtarët. Për mua do të ishte ideale që të mos humbim në Ceki, nuk do të ishte keq një barazim. Do të ishte një pikë shumë e rëndësishme dhe duhet të vazhdojmë me një fitore kundër Polonisë. Vetëm kështu do të kishte shumë rëndësi barazimi në Ceki. Por më e mira është sigurisht 6 pikë, pasi ne nuk futemi kurrë në fushë për barazim.

A do ta ndërrojë golin spektakolar nga goditja e dënimit që i shënove Copenhagen me një gol te Shqipëria?

Patjetër që do ta ndërroja atë gol, do të ketë një tjetër vlerë. Nuk ka rëndësi se ndaj Cekisë apo ndaj Polonisë, rëndësia është vetëm vlera e golit ndaj këtyre dy pikëve. Vetëm do të doja që të kishte vlerë pike, jo si me Spartën e Pragës që e shënova dhe në fund goli im nuk shërbeu.

Po nga stafi te Sparta e Pragës, ka ndonjë ngacmim për ty dhe ndonjë lojtar të Çekisë, pasi ndeshja jonë po afron?

Kur unë dhe Ladislav Krejci jemi më afër njëri-tjetrit dhe në dyluftim me njëri-tjetrin në stërvitjen, i futemi nga këmbët njëri-tjetrit. Po ambientohemi pak për ndeshjen e shtatorit (qesh). Stafi te Sparta e Pragës e pëlqen këtë situatë dhe qeshin, madje thonë: “Bjeri më shumë”. (qesh) Ata kënaqen dhe duan shumë të shohin dy lojtarë të ekipit të tyre që luajnë si kundërshtar me Kombëtaret.

Çfarë ndryshoi Silvinjo si me magji te kjo Kombëtare?

Aspektin psikologjik, ne tani besojmë më shumë te vetja. Zabaleta dhe Silvinjo kanë vetëm pak vite që e kanë lënë futbollin e luajtur dhe janë trajner, ata e dinë mirë sesi ndihemi ne si lojtarë. Prandaj nuk e mbyllin vetëm me këshillat në fushë, na marrin çdo lojtar me vete dhe bëjnë biseda të tjera duke na këshilluar se çfarë duhet të kemi kujdes dhe duke na treguar pikat e forta. Kjo na motivon shumë.

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

VIDEO/ Rey Manaj i papërmbajtshëm, dopieta e lushnjarit i jep fitoren Sivassporit

Rey Manaj ishte protagonist absolut në sfidën që Sivasspor...

VIDEO/ “Vallëzon” mes katër kundërshtarëve, Mario Mitaj shënon SUPERGOL në Arabinë Saudite

Mario Mitaj është shfaqur protagonist në ndeshjen që ekipi...