Babai i Naim Murselit: M’u vërsul të mos flisja me gazetarët, Liridonën e doja si vajzën time

Date:

- Advertisement -

Babai i Naim Murselit tha se nëse do ta dinte se djali i tij e organizonte një vrasje të tillë, ai vetë do zgjidhte gjithçka. Ai deklaroi se kur po bëhej varrimi i Liridonës, Naimi kishte qenë nervoz dhe në një moment, i kishte kërkuar të mos flasë me gazetarët, sepse sipas tij, prisheshin hetimet.

Babai i Naim Murselit, që organizoi vrasjen e bashkëshortes Liridona Ademaj, ka folur për mediat e Kosovës. Ai ka thënë se i vjen turp dhe nuk ka më fytyrë që të dalë përpara njerëzve. Babai i autorit shprehet se mes djalit të tij dhe shoqërisë, që ka dënuar këtë krim të rëndë, është me shoqërinë shqiptare. Ai ka shtuar se po ta dinte se do e ideonte djali i tij vrasjen makabre, do të merrej vetë me të. Ai ka treguar edhe detaje nga ngjarja.

“Po ta dija unë se Naimi e bënte atë veprim që ka bërë, unë do merresha vetë me të dhe ai nuk do ishte sot gjallë. Liridonën e kemi dashur më shumë se edhe fëmijët e mi. Nuk kam pasur fytyrë të dalë përballë njerëzve. Të ma jepje gjithë botën, nuk më kishte shkuar mendja se djali im e bën atë gjest. Kam qenë në shtëpi dhe djali i dytë më ka thirrur dhe më ka thënë se e kanë vrarë Liridonën. Edhe unë kam menduar se ishte grabitje, siç tha Naimi në fillim.Naimi ishte agresiv. Ai është arrestuar dhe nuk e kam ditur. E kam marrë vesh pas arrestimit, pastaj erdhi policia dhe thanë se kemi ardhur të marrim diçka te dhoma e ndenjës.

Polici më ka thënë në dhomë se kemi prova se Naimi e ka organizuar vrasjen. Jam tronditur. Unë kam karakter, kam fytyrë dhe ai nuk do ishte gjallë nëse do e dija që e ka bërë atë gjest. Fëmijët e vegjël nuk e dinë ende ngjarjen e rëndë. Ne jemi miq me familjen e Liridonës dhe njihemi prej 50 vitesh. Iu kam bërë mesazh që a mundem të marr pjesë në varrim dhe nuk më kanë pranuar. Gjithë shqiptaria i ka pasur lakmi për dashurinë e tyre Naimin dhe Liridonën. Nuk e besoj se motivi ka qenë biznesi. Unë jam më i mërzitur se ata, iu shpreh ngushëllime familjes Ademaj”, tha ndër të tjera babai i Naim Murselit.

Më tej, në rrëfimin e tij, babai i Naim Murselit ka treguar momentin, kur Naimi ishte agresiv, nuk ishte i qetë dhe aty ka dyshuar tek ai. Ai u shpreh se Naimi i kishte kërkuar të mos flasë me gazetarët. “Ne po bënim varrimin. Mua po më vinte shumë keq se Liridonën e doja më shumë se vajzat e mia. Ditën e varrimit, Naimi më ka thënë mos fol për mediat, më tha mos fol me gazetarët, se do prishësh hetimet. Unë nuk po e kuptoja këtë kërkesë dhe i kam thënë se unë nuk di çfarë të them se nuk di asgjë”, ka deklaruar babai i Naim Murselit.

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 28 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri.ai/

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related