Një atentat mafioz tronditi vendin dy ditë më parë në Dobraç të Shkodrës, ku shënjestër ishin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët u ekzekutuan të dy, teksa viktimë aksidentale mbeti edhe Flutura Basha, e cila po udhëtonte me motor me bashkëshortin e saj, i cili mbeti i plagosur rëndë.
Por, nga hetimet paraprake dyshohet se në automjetin me targa kroate të viktimave kanë qenë tre persona. Kjo nisur nga fakti se në automjet janë gjetur tre armë zjarri pistoletë, po ashtu dhe gjurmë gjaku në sediljen e pasme, si dhe trupat e viktimave ishin nxjerrë nga makina.
Jo vetëm kaq, por nga disa filmime amatore me telefon pas ngjarjes, shfaqet një person i gjakosur pranë trupit të viktimave, i cili ende nuk është identifikuar. Ai dyshohet se pas atentatit është arratisur në drejtim të paditur.
Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar në emisionin “Të paekspozuarit” se personi i tretë, ende i paidentifikuar dhe i pa konfirmuar zyrtarisht, mund të ketë qenë Ibrahim Lici, i njohur ndryshe me nofkën “Fantazma” dhe që është vëllai i Hamza Licit.
Dyshimet ngrihen edhe nga fakti se familja Lici nuk hapi dyert e mortit për djalin e vogël të shtëpisë, Hamza Lici, por e përcollën për në banesën e fundit vetëm nga një rreth i ngushtë miqësor.
Ibrahim Lici u arrestua në Turqi më 13 shkurt të këtij viti, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër më 15 maj të vitit 2021.
Por, ekstradimi i tij nuk u krye për faktin se Lici pretendonte se në vendin tonë kishte shumë armiq që kërkonin ta vrisnin dhe më pas ai u lirua në masën “Arrest shtëpie”.
Dyshohet se ai ka hyrë në vendin tonë ilgalisht kohë më parë, teksa autoritet turke nuk iu kanë kthyer përgjigje atyre shqiptare se çfarë është bërë me të dhe a është mbajtur nën kontroll në Turqi.
Nga bisedat në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” rezultonte se Behar Bajri kërkonte ta vriste me çdo kusht Ibrahim Licin, por që nuk ia ka dalë dot.
“Në automjet mund të ketë qenë një person i tretë. Ka patur tre pisotleta, njëra në sediljen e pasme. Pikërisht ajo pistoletë është përdorur. Është foto e shkëputuar nga një video e gjatë, ku shfaqen personat e gjakosur. Personi që shfqet në foto nuk është konfirmuar se është zyrtarisht Ibrahim Lici. A ka dyshime që Ibrahim Lici mund të ketë qenë? Po ka dyshime. Varrimi ka qenë totalisht i mbyllur. Ka dyshime sipas policisë që mund të ketë qenë Lici por nuk është konfirmuar. Ai u arrestua në Turqi, u la i lirë, nuk janë përgjigjur autoritetet turke. Që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, policia duhet të na tregojë se cili është personi i tretë.” – shtoi Lala.
Nëse rezulton se personi i tretë ka qenë Ibrahim Lici, skandalin do ta rëndonte edhe më shumë, nisur nga fakti se një person i shpallur në kërkim lëviz lirshëm në qytet.
*Në fotografitë e mëposhtme është personi i paidentifikuar në masakrën e Shkodrës, si dhe në fotografitë e tjera Ibrahim Lici.