Deputeti Italian ironizon marrëveshjen për emigrantët: Të ndërtojmë një urë me Shqipërinë

Date:

- Advertisement -

Ditën e sotme dhoma e ulët e parlamentit italian diskutoi marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.

Opozita shprehu kritika të forta ndaj kësaj marrëveshje, teksa një vëmendje të lartë mori Riccardo Ricciardi i “Lëvizjes 5 yjet”.

Ai bëri disa komente pikante lidhur me marrëveshjen për emigrantët, duke vënë theksin tek kostot e shpenzimeve. Madje ai propozon që Salvini të bëjë një urë të bukur Itali-Shqipëri, thënë kjo në kontekstin ironik.

“Kjo marrëveshje me Shqipërinë do të na kushtojë jo vetëm shifrat e deklaruara, por kushedi sa para ndër vite. Imagjinoni vetëm shpenzimet e udhëtimit të gjithë stafit italian që do të duhet të menaxhojë procedurat burokratike dhe gjyqësore në këto qendra për të bërë të njëjtat gjëra që mund të bënin në Itali. Ne i propozojmë Salvinit një urë të bukur Itali-Shqipëri për të ulur kostot” – tha Ricciardi duke shkaktuar të qeshura në sallë.

“Të lëmë mënjanë shakatë. Këto dy qendra në Shqipëri do të na kushtojnë 10 herë më shumë se qendrat e ndërtuara në Itali. Shume para për çfarë? Sigurisht jo për të zgjidhur problemin e zbarkimeve të cilat me këtë qeveri kanë arritur në 150 mijë në vit falë disa mijërave që duhet të shkojnë përkohësisht në Shqipëri” – tha ai.

“Kjo reklamë e shtrenjtë dhe e padobishme ishte e dobishme vetëm për Melonin, e cila u detyrua të shpikte diçka për të mos humbur konsensusin me Salvinin, i cili e ka bombarduar atë për çështjen e emigracionit prej muajsh dhe për të zgjidhur problemin e guvernatorëve të qendrës së djathtë që nuk donin të merrnin më emigrantë në Qendrat e Mbajtjes së Riatdhesimit të propozuara fillimisht në rajonet e tyre.

Është sindroma “jo në oborrin tim” që Meloni e zgjidhi duke e zhvendosur problemin në Shqipëri. Ndoshta do të bëjnë të njëjtën gjë edhe për termocentralet bërthamore. Në fillim do të na thonë se na duhen dhe pastaj kur të shohin kundërshtimin e italianëve do t’i dërgojnë edhe ato në Shqipëri. Ju do të dëshironit të dëgjoni të quheni fashistë, por ju jeni thjesht të paaftë”, u shpreh deputeti italian i opozitës.

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related