“Hysaj tenton te Shqipëria gjëra që nuk di t’i bëj”! Skarço tregon se pse Daku nuk i pasoi Bajramit: Subkoshianca i tha për Mujën, çdo Kombëtare tjetër e shënonte gol

Date:

- Advertisement -

Shqipëria ka barazuar me shifrat 1-1 kundër Çekisë duke grumbulluar një pikë shumë të rëndësishme në transfertë ndaj kryesuesve të grupit. Por nëse ka një peng të madh të Shqipërisë dhe arsye se pse ky barazim nuk na shijoi aq shumë, ishte pikërisht ai rast i humbur nga Daku në kundërsulmin tre kundër një. Sport Ekspres ka zhvilluar një intervistë me gazetarin e njohur, Eno Skarço, që ka dhënë një analizë të hollësishme jo vetëm mbi këtë rast, por mbi të gjithë ndeshjen në tërësi dhe mbi situatën në të cilën Shqipëria ndodhet në grup.

E pamë ndeshjen mes Cekisë dhe Shqipërisë, a ndodhi realisht pjesa që Silvinjo nuk u investua për të marrë fitore në atë takim, por ruajti energjitë për Poloninë dhe kërkoi vetëm barazimin në Pragë?

Duke u bazuar në të gjitha ndeshjet e Shqipërisë së Silvinjos, më veçanërisht në transfertë ndaj Polonisë, ku kishim shumë raste goli, këtë herë kishim vetëm një goditje në portë. Goli na erdhi vetëm nga një veprim individual që nuk e ndryshoi strategjinë e Silvinjos. Në rregull, u futën në fushë lojtarë si Daku dhe Muja, por edhe për shkakun që të ishin përfundimisht pjesë e Shqipërisë. Nga ana tjetër u fut edhe Gjasula, pra ishte dëshira për të mos dalë nga barazimi, nuk u kalua në aventurë për fitore. Silvinjo nuk e tha kurrë që futem për barazim, por ne shkuam për të marrë 1 pikë dhe e morëm atë pikë. Ndeshja me Poloninë do të jetë histori tjetër për mua. Kishim edhe një rast me Dakun, tre kundër një, që çdo Kombëtare tjetër do ta kishte shënuar gol, vetëm Shqipëria nuk e bënte dot.

Nisemi nga kjo pjesa e fundit, ti mendon se kjo erdhi për shkak të një ngarkese emocionale që kemi ne si shqiptar, që na karakterizon apo mungesë e përvojës?

U bashkuan bashkë. Fati jonë i keq ishte që dy nga protagonistët e atij aksioni, Daku dhe Muja ishin debutes. Mendja nuk është e kthjellët, këmbët janë të rënduara, ekzaltimi është i madh dhe të dërgon në atë pikë. 3 kundër 1, në atë moment, në atë kohë, asnjë ekip tjetër nuk e shpërdoron një mundësi të tillë. Fati ynë i keq që ndodh kështu.

Ndalemi pak te rasti i Dakut. A mund të ndikojë pjesë që Daku dhe Muja, për shkak të shoqërisë së madhe që kanë së bashku, për shkak të afrimitetit të madh që kanë dhe për më tepër që ishin debutues të rinj, Daku kërkoi ta mbyllte atë aksion me patjetër me Mujën dhe jo me Bajramin apo mendon se ishte një fraksion sekondi, ku nuk mund të përpunosh kaq shumë në atë kohë të shkurtër?

Për mua ishte pikërisht kjo, ishin dy rishtarë në të njëjtën anije. Për shkak të ishin dy të ardhurit e rinj te Shqipëria, ndihen shumë më komod me njëri-tjetrin dhe sigurisht që dëshira dhe subkoshianca e bëri Dakun që të pasonte te Muja dhe jo te Bajrami. Por, por, e theksoj edhe njëherë. Nuk ishte zgjedhja e krahut e gabuar, por pasimi i gabuar. Nëse do tia pasonte Mujës saktë, prapë do të ishte gol. Ashtu sikurse nëse do t’ia pasonte Bajramit keq, mund të ishte i njëjti fat si në rastin e Mujës, ku nuk u shënua.

Nëse nuk fitojmë kundër Polonisë më të dobët të viteve të fundit në Tiranë, si mund të komentohet? Pra a duhet të kënaqemi me barazimin në këtë ndeshje dhe të jemi të lumtur se kemi marrë 2 pikë në 2 ndeshje kundër rivalëve direkt apo mendon se duhet të fitojmë me patjetër për ta konsideruar si arritje?

Unë e shoh kështu, dështimi, suksesi, arritja, nuk shihet në ndeshjen me Poloninë, por në fund, kur ti renditesh i pari, i dyti, i treti etj. Mos ta harrojmë që Moldavia kur e mundëm ne ishte më e dobta e botës dhe kur përmbysi Poloninë, u bë faktor në grup. Mund të fitosh me Poloninë, të humbësh me Moldavinë dhe me Cekinë këtu, pra ka shumë kombinime. Bilancet bëhen vetëm në fund. Silvinjo është një trajner i aftë që ka ndërtuar një grup të tillë lojtarësh që po japin rezultat. Ne themi se kjo është Polonia më e dobët e viteve të fundit, por ne nuk e flasim këtë në raport lojtarësh, por situate. Dhe në raport situate, mund të ndryshoj befas, papritur dhe ne të përballemi me një ekip agresiv. Ato kualitete janë, Zielinski është, Leëandoëski është. Pra nëse Polonia bën ndeshjen e saj të jetës, ti nuk thua dot që na mundi Polonia më e dobët e viteve të fundit, jo, nuk është kështu. Mos ta harrojmë se në dekadën e fundit, Polonia ka bërë gjithmonë atë që ka dashur me ne. Ne nuk duhet të presim që të jenë ata të dobët që të fitojmë ne. Jo, ne duhet të jemi të fortë dhe të kërkojmë fitoren, sido që të jetë Polonia.

Taktika e Silvinjos i befasoi të gjithë në Ceki. Dihet që çekët janë agresiv dhe në minutat e para kërkojnë golin. Por Shqipëria bëri presing të lartë ultra ofensiv që në minutat e para. A të befasoi edhe ty kjo zgjedhje, pra që Silvinjo i mori frymëarrjen dhe i prishin planet çekëve sa u shkelmua topi i parë?

Me një trajner që guxoi që me Poloninë, unë nuk preferoj të surprizohem më. Mua më pëlqen ta shoh Shqipërinë kështu. Sigurisht që 90 minuta, edhe një ekip i nivelit të lartë si Gjermania, Brazili, nuk e bëjnë dot presingun 90 minuta në një formë të tillë. Goditja e kundërshtarit në momentin e tij më të mirë, ishte zgjidhje ideale. Mos të harrojmë që çekët i kanë zgjidhur të gjitha ndeshjet në 25 minutat e para. Silvinjo tregoi se e kishte studiuar kundërshtarin duke i goditur në një lëvizje që për ta ishte e zakonshme, duke bërë një lëvizje tërësisht të pazakonshme. Mua më pëlqen sesi funksionon ky trajner.

Asani, Asllani, Bajrami. E kanë një shpjegim këto gola spektakolar kaq të shpeshtë te Shqipëria apo është fat?

Jo, është pjesa e skemës. Ia kishim thënë kaq shumë herë Rejës që ajo skema 3-5-2 na hiqte mundësinë që të shpalosnim potencialin tonë. Me atë skemë privoheshin shumë lojtarë, ndërsa tani ata janë më të çlirët dhe kanë mundësinë që të godasin më shumë portën. E tha vetë Bajrami, kur mori topin nga Asani, objektivi i tij ishte vetëm porta, asgjë tjetër. Dhe sa mirë që e bëri se në të kundërt, ai aksioni nuk ishte aspak premtues. Kishte shumë lojtarë çekë në prapavijë dhe vetëm një lojtar i Shqipërisë, pra ata na dominonin me shifra atyre, ndërsa vetëm hapësira ishte e jona.

FSHF ka fituar dy beteja të mëdha gjyqësore, kundër Serbisë në CAS dhe dhënia e mundësisë së Bajramit për të luajtur me Shqipërinë, ishte rasti i dytë në botë, nuk priste askush që ta kishte këtë mundësi. A kanë të njëjtën peshë nëse na dërgojnë në Europian?

Ajo me Serbinë ishte maja e piramidës, të suksesit, të krenarisë. Nuk është vetëm fakti që more tre pikë, more tre pikë ndaj një rivali të duhur, ndaj një rivali të duhur në shtëpinë e tij dhe në fund të betejës ligjore ti shkove në Europian dhe ata i le jashtë. Ky rast nuk do të përsëritet më, pastaj të tjerat mund t’i diskutojmë.

Veprimi i Hysajt në minutën e fundit, ku u rrezikuam dhe shpëtuam nga ajo vërshëllimë e arbitrit. Cili është komenti jot? Flasim shpesh që ndeshje të këtij niveli vendosen nga një episod, nga një gabim dhe vazhdojmë t’i përsërim po vetë, pa asnjë arsye. Cili është komenti jot?

Për mua Hysaj nuk bëri ndeshje të mirë, kemi ankth në prapavijë. Nuk e kuptoj pse, sinqerisht. Hysaj është një lojtar që përdorimin e topit nuk e ka pikën e vet më të fortë. Hysaj që ka ardhur deri këtu, nuk ka ardhur se është lojtar driblues, nuk ka ardhur se i shkon krahu deri në fund, nuk ka ardhur se bën krosime të jashtëzakonshme në Serinë A, por ka ardhur se bën punën që ai di. Por te Kombëtarja është duke tentuar që të bëjë disa gjëra që nuk di t’i bëj, që janë jashtë aftëisve të Hysajt. Unë kam përshtypjen që presioni i kritikave është bërë i madh mbi të, nga media dhe tifozët, dhe kjo po e detyron Hysajn që të tregojë se është lojtar i rëndësishëm. Por duke kaluar në këtë pikë, po futet në disa ambientet që nuk i përkasin atij. Por ndaj Polonisë unë mendoj se Balliu dhe Uzuni do të jenë në fushë, kam bindje se Silvinjo do të luajë kështu për të tentuar fitoren ndaj Polonisë.

Dhe pyetja e fundit, nëse ai rasti te Hysaj nuk do të jepej faull, kush do të pëlqente më shumë mes sparkatës së Ismajlit në atë moment dhe golit të Bajramit?

Sparkata e Ismajlit në atë moment, vlente sa goli i Bajramit

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

VIDEO/ Rey Manaj i papërmbajtshëm, dopieta e lushnjarit i jep fitoren Sivassporit

Rey Manaj ishte protagonist absolut në sfidën që Sivasspor...

VIDEO/ “Vallëzon” mes katër kundërshtarëve, Mario Mitaj shënon SUPERGOL në Arabinë Saudite

Mario Mitaj është shfaqur protagonist në ndeshjen që ekipi...

VIDEO/ Myrto Uzuni shkëlqen në fitoren e Granadës, shënon dy gola për skuadrën spanjolle

Granada ka marrë një fitore bindëse këtë mbrëmje. Skuadra...