Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Enver Ballës nga djali i tij, Esmerald Balla për shkak të parave që mbaheshin në një kasafortë.
Kjo e fundit që ishte prerë me gur fresibël në pjesën e pasme dhe ndodhej në dhomën e Esmerald Ballës, u bë një nga provat kryesore që ngjalli dyshime te hetuesit. Që në momentin kur Esmeraldi bëri denoncimin për zhdukjen e të atit, hetuesit vunë re mospërputhje në deklaratat e tij dhe e mbajtën në vëzhgim. Në lidhje me kasafortën, Esmeraldi dha dëshmi kontradiktore, duke ndryshuar historinë se kush mbante çelësin, herë duke pretenduar se ishte babai, herë ai vetë.
Ndërkohë, ai përpiqej të mbulonte krimin duke sajuar një histori se i ati ishte larguar me një grua që e kishte kontaktuar përmes Instagramit. Kjo shtyu policinë të sekuestrojë celularin e tij, ku ekspertët e IT zbuluan prova vendimtare. Në celular u gjet një screenshot i një bisede me një profil femre, që pretendonte se kishte ikur me babain e tij. Megjithatë, hetuesit zbuluan se ky profil ishte krijuar nga vetë Esmeraldi, duke konfirmuar mashtrimin.
Pavarësisht se ishte i kujdesshëm në komunikim, Esmeraldi u mbajt nën përgjim për disa kohë, dhe hetuesit filluan të dyshonin se ai nuk kishte vepruar vetëm. Ndërsa familjarët e tjerë nuk kishin dijeni për fatin e vërtetë të Enver Ballës dhe besuan historinë e sajuar për largimin e tij me një grua, Esmeraldi vazhdoi të mbante versionin e tij për disa kohë.
Ngjarja tragjike ndodhi më 13 gusht, kur Esmeraldi vrau babanë dhe më pas e hodhi trupin në një pus. Po atë ditë, ai e denoncoi zhdukjen e të atit në polici. Dyshohet se shkak për këtë krim ishin debatet e shumta për paratë, pasi në kasafortën e Enver Ballës mendohet se ndodheshin rreth 75 milionë lekë të vjetra.