Vendimi i Bashkisë së Durrësit për të rritur pagat e kryetares Emiriana Sako dhe administratës së lartë ka shkaktuar polemika dhe pakënaqësi, veçanërisht mes përfaqësuesve të opozitës në Këshillin Bashkiak. Sipas vendimit të miratuar një javë më parë, paga e kryetares së bashkisë është rritur me 56.7%, duke arritur nga 1 milion e 850 mijë lekë në 2 milion e 900 mijë lekë të vjetra në muaj. Për tre zëvendëskryetarët e saj dhe për disa funksionarë të tjerë të lartë, janë bërë rritje të ngjashme, ndërsa për punonjësit e nivelit bazë të administratës dhe sektorëve të shërbimeve rritja është më e kufizuar ose fare e munguar.
Këshilltarët e opozitës, të cilët bojkotuan mbledhjen e miratimit, e cilësuan rritjen si të padrejtë, sidomos në një kohë kur qyteti përballet me sfida të rëndësishme, si problemi i mbetjeve toksike në port.
Problematika të tjera që mbizotërojnë në qytet, të cilat edhe pse janë ngritur herë pas here për diskutim, nuk kanë marrë zgjidhje, janë: problematikat e largimit të të rinjve, situata e pazgjidhur e mbetjeve në plazh, problematikat e shtresave vulnerabël si kategoria e të verbërve etj. Herë pas here, për të tilla problematika ka pasur ankesa në nivel vendor, ka pasur denoncime nga qytetarët drejtuar të zgjedhurve të tyre me votë.
Edhe në redaksinë e JOQ Albania, në mënyrë të vazhdueshme kanë ardhur denoncime nga banorët, të cilët shprehin shqetësime për ujin, dritat, rrugët e pashtruara, ndotja nga plehrat, të cilat edhe pse janë ngritur vazhdimisht si shqetësime, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje përfundimtare.
Rritja e pagave për funksionarët e lartë arrin në nivele të konsiderueshme, si 90.8% për këshilltarin e kryetares dhe zëdhënësin e bashkisë. Në kontrast, për specialistët e aparatit të bashkisë dhe për inspektorët e terrenit, rritjet variojnë nga 7% në 14.3%, duke shkaktuar pakënaqësi dhe tension në mesin e këtyre punonjësve.
Ky vendim ka përforcuar diferencat e pagave brenda administratës dhe ka ngritur pyetje mbi prioritetet e vendimmarrjes, në një periudhë kur qyteti ka nevojë për vëmendje të veçantë në menaxhimin e krizave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.