“Qetësia zgjati vetëm 8 muaj”, krimi që shfaqi fantazmën e Ervis Martinajt

Date:

- Advertisement -

Qetësia zgjati vetëm 8 muaj. Atëherë kur të gjithë, madje edhe Policia, po mendonte se një grupi kriminal i Ervis Martinajt ishte dobësuar, sinjali i rizgjimit u dha nga breshëritë e kallashnikovëve.

Në një rrugicë të errët të “Don Boskos” në Tiranë, plumbat e kallashit, të nisur për të larë hesapet mes grupeve kriminale, i morën jetën një gruaje të pafajshme.

Ndonëse rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit të kaluar, mbrëmjen e 12 marsit u shfaq fantazma e Ervis Martinajt. Emri i tij doli në skenë duke sjellë jo pak përshtjellim për të gjithë ata që e mendonin edhe të vdekur.

Atentati që kishte në shënjestër Fatjon Muratin dhe njerëzit e tij, ktheu vëmendjen e Policisë tek vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës. Aty ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

17 KORRIK 2022 – VRITET NIPI I ERVIS MARTINAJT

Emri i Fatjon Muratit doli në skenë para 8 muajsh, kohë kur një shkresë e klasifikuar e rendiste atë të parin ndër 6 persona që duhej të pyetej për masakrën e Fushë-Krujës.

Prokuroria e Krujës kërkoi në atë kohë marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e 17 korrikut, ku mes tre të vrarëve ishte edhe nipi i Ervis Martinajt.

Mes emrave që kërkonte organi i akuzës për t’u pyetur ishin Gentjan Reçi, nipi i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, të cilët kanë lidhje krushqie me Endrit Doklen, si dhe tre persona të tjerë.

Grupi hetimor mblodhi në atë kohë prova të shumta në vendngjarje, dy aparate celularë pjesërisht të djegur dhe më shumë se 60 orë filmime të kamerave të sigurisë.

Nga rindërtimi i skenës së krimit, u konkludua se autorë mund të kenë qenë katër persona të përgatitur për ngjarje të tilla dhe që e njihnin mirë zonën.

Tre prej tyre kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi.

Edhe pse u pyetën në lidhje me këtë ngjarje, si persona që mund të kishin dijeni, Prokuroria nuk mundi të provonte asgjë dhe të gjithë u lanë të lirë.

Atëherë kur pritej një kundërsulm, që do të merrte hak për vrasjen e Brilant Martinajt, pa u bërë një muaj nga ngjarja, Ervis Martinaj denoncohet i zhdukur.

9 GUSHT 2022 – DENONCIMI PËR ZHDUKJEN E ERVIS MARTINAJT

Më datë 10 gusht 2022, shtetasi Faik Martinaj, xhaxhai i Ervis Martinajt, banues në Fushë- Kuqe, paraqiti një kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, kallëzuesi bëri me dije se kishin humbur kontaktet me nipin e tij, ndërkohë që ky i fundit ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Posaçme, me vendimin nr.42, datë 17 maj 2022 ka caktuar ndaj Ervis Martinajt masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 4 vepra penale, një prej të cilave, grup i strukturuar kriminal.

Faik Martinaj, në kallëzimin e tij ka shpjeguar se më datë 9 gusht 2022, rreth orës 22.00, janë njoftuar nga një i afërmi i tyre që ndodhet jashtë shtetit dhe që për arsye sigurie nuk e identifikon me emër, i cili kishte humbur kontaktet me nipin e tij Ervis Martinaj.

Telefoni i tij rezultonte i fikur, çka e bënte të dyshonte se mund të ishte zhdukur nga persona të paidentifikuar.

Faik Martinaj shpjegonte se që prej kohës që nipi i tij Ervisi është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, ai dhe familja e tij nuk kishin pasur kontakte me të dhe nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.

I pyetur lidhur me motivet dhe personat që mund të jenë përfshirë në zhdukjen e nipit të tij, Faik Martinaj sqaronte se që prej dhënies së dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, i cili e akuzonte nipin e tij Ervisin për disa krime të rënda, kishin filluar edhe problemet për të.

Ai ka hedhur dyshime për grupe kriminale dhe posaçërisht tek shtetasi Endrit Dokle.

Lidhur me faktin e kallëzuar është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale edhe shtetasi Mustafa Martinaj, babai i shtetasit Ervis Martinaj, i cili ka dhënë të njëjtat shpjegime lidhur me kohën dhe rrethanat e zhdukjes së djalit të tij.

Ai ka deklaruar se kontakti i fundit me të, kishte qenë në datë 9 gusht 2022, në orën 19:30, me të afërmin e tyre që ndodhet jashtë shtetit dhe që nuk tregohet se kush është.

Pas këtij kallëzimi, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për rrëmbim personi, por nuk është zbuluar asgjë rreth vendndodhjes së Ervis Martinajt. Është hetuar në disa drejtime nga ana e organit të akuzës, janë vënë në përgjim shumë persona, por deri më sot nuk është konkluduar asgjë.

Ai konsiderohet “i humbur”, edhe pse ka pasur aludime se mund të jetë vrarë. Por për aq kohë sa nuk ka një trup të pajetë, nuk ka as vrasje. E për aq kohë sa kjo nuk mund të provohet, nuk mund të përjashtohet as mundësia që Ervis Martinaj të jetë gjallë.

Për Policinë e Shtetit, fakti që prej zhdukjes së tij, nuk kishte pasur ngjarje kriminale, të paktën përplasje me armë mes grupeve siç kishin ndodhur më parë, shpjegonte dobësimin e grupit të tij. Kjo e dhënë ishte edhe një lloj indikacioni që e shtynte Policinë të mendonte se Ervis Martinaj edhe mund të ishte vrarë. Por ngjarja e së dielës mbrëma në “Don Bosko”, duket se e ringjalli duke kthyer fantazmën e tij.

Si ndodhi ngjarja dhe pse Policia e Prokuroria dyshojnë se pas kësaj ngjarjeje është grupi i Ervis Martinajt?

12 MARS 2023 – VRITET NJE GRUA, PLAGOSEN 6 PERSONA

Në orën 21:05, dy persona qëllojnë me breshëri automatiku në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit në “Don Bosko”, duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe.

Gjashtë persona të tjerë mbëtën të plagosur, mes tyre edhe mbesa 10-vjeçare e viktimës që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit janë: Sahit Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shaholli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Vëllai, xhaxhai dhe djali i xhaxhait të Fatjon Muratit kanë qenë në lokal, në një tavolinë bashkë me personat e tjerë që u plagosën. Të gjithë të afërm me njëri-tjetrin.

Viktima, Mimoza Paja, kishte filluar punë si banakiere para 10 ditësh. Ajo jetonte me qira bashkë me djalin dhe mbante edhe mbesën 10 vjeçe. Ajo u plagos lehtë nga ciflat e xhamave.

Policia e Tiranës, në një njoftim zyrtar, shpjegoi edhe dinamikën e ngjarjes: Autorët janë afruar me automjetin tip BMW, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit Fatjon Murati.

Dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj, autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Spitalit të Traumës. Kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.

Nisur nga dinamika që shpjegon Policia, ngjarja duket thuajse identike me një tjetër vrasje të ndodhur në Laç më 1 nëntor të vitit 2021. Bëhet fjalë për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi.

Një kamera sigurie ka fiksuar momentin e vrasjes së tij. Në video shfaqet Xhelal Reçi, i cili futet në një prej bizneseve të tij. Pak çaste me pas, një makinë “Toyota” ndalet para hyrjes se biznesit ku ai ishte futur. Dy persona të armatosur me automatikë zbresin nga mjeti dhe hapin zjarr në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes autorët largohen me shpejtësi. Makina e tyre gjendet e djegur pak kohë pas ngjarjes në Milot.

Një skenë kjo identike me vrasjen që ndodhi të dielën në Tiranë. Madje Policia nuk përjashton mundësinë që të jetë kryer nga të njëjtët persona. Kjo lidhet edhe me faktin e përplasjeve mes dy grupeve por edhe me atë çfarë përfaqësonte ish-polici i vrarë.

Xhelal Reçi, dikur punonjës policie, kishte disa biznese në Laç. Ai konsiderohej si person pa probleme. Pas vrasjes së tij, Policia i përqendroi hetimet në konfliktet e djalit të tij, Besnikut, i cili i shpëtoi një atentati në gusht të vitit 2020.

Në atë kohë, autorët iu afruan makinës së Besnik Reçit me një motor dhe hapën zjarr edhe pse ai shoqërohej nga bashkëshortja dhe fëmijët. Reçi mundi të shpëtojë për shkak të manovrimit të shpejtë. Që nga ajo kohë nuk ka asnjë autor të identifikuar të kësaj ngjarjeje.

Por çfarë i lidh këto dy ngjarje përveç skemës së njëjtë?

8 TETOR 2022 – ARRESTOHET FATJON MURATI

Fatjon Murati ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi më 13 në korrik të vitit 2022, gjatë operacionit të kodura “Ruger” u sekuestrua një arsenal armësh në zonën e Farkës. Në atë operacion Policia arrestoi shtetasin Kristjan Gjini. Ndërsa në kutinë e një prej pistoletave të sekuestruara, u fiksuan gjurmët e gishtave të Fatjon Muratit.

Më 8 tetor të vitit të kaluar, Fatjon Murati u arrestua kur po lëvizte me një makinë të blinduar bashkë me Endrit Doklen dhe kunatin e Dokles, Gentjan Reçin. Ata u ndaluan fillimisht nga një patrullë policie që u kërkoi kartat e identitetit. Dokle, Reçi dhe Murati, kanë dhënë dokumentet dhe më pas policia ka vijuar me verifikimin në sallën operative.

Nga verifikimi rezultoi se Fatjon Murati, ishte person në kërkim si i dyshuar për mbajtje pa leje të arsenalit të armëve të sekuestruar në Tiranë.

Policia ka kontrolluar edhe makinën e blinduar të Dokles, por nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme. Murati u arrestua, ndërsa Dokle dhe kunati i tij u lanë të lirë. Gentian Reçi, kunati i Endrit Dokles, është njëkohësisht nipi i ish-policit të vrarë, Xhelal Reçi. Nga ana tjetër, duket se edhe vetë Dokle kishte hesape të pambyllura me Ervis Martinajn. Kjo lidhet me dëshminë e dhënë nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.

29 MARS 2022 – ARRESTOHET NUREDIN DUMANI

Mbrëmjen e datës 29 mars të vitit 2022, nga strukturat e Policisë së Shtetit është finalizuar operacioni policor i koduar “Arratia”, gjatë të cilit u arrit të arrestohet një prej personave më të kërkuar, i dyshuar për disa vrasje.

Rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia” në Fier, u bë lokalizimi dhe kapja e shtetasit Nuredin Dumani.

Arrestimi i tij u konsiderua një sukses i madh për Policinë, pasi përveçse ai ishte një prej më të kërkuarve, u kthye edhe në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Falë dëshmisë së tij, në maj të vitit të kaluar u realizua operacioni tjetër, i koduar “Plumbi i artë”, i cili nxori në skenë shumë emra të botës së krimit.

Vrasje të kryera me porosi e të tjera që nuk ishin realizuar. Mes emrave që përmendi Nuredin Dumani ishin edhe Ervis Martinaj e Endrit Dokle. I pari si autor i dyshuar dhe që rezulton i shpallur në kërkim pikërisht prej rrëfimit të Dumanit dhe i dyti si palë e dëmtuar.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë e Elbasanit, si dhe në bazë të informacioneve të mara nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme, Policia organizoi operacionin, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.

Operacioni u shtri në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. U ekzekutuan 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa burgje, sepse të dyshuarit ishin arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale. Shumë të tjerë u shpallën në kërkim, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj.

Ndër të tjera, në rrefimin e tij para prokurorëve të SPAK, Nuredin Dumani tha se një zarf i bardhë kishte shkuar në dorën e tij nga Ervis Martinaj.

Martinaj i kishte lënë dorë të lirë që të kërkonte sa para të donte për të kryer ekzekutimin e Endrit Dokles. Dumani thotë: “I mora paratë, por nuk doja ta vrisja Doklen”.

Më pas hyn në skenë bashkëpunërori tjetër i drejtësië, Henrik Hoxhaj. Ai ka treguar se Nuredin Dumani i kishte dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Endrit Dokle.

Kjo kishte ndodhur para një viti kur ai bisedonte shpesh me Nuredinin. Në një nga këto biseda që kryenin në telefon ai i ka kërkuar që të gjente ku ishte Endrit Dokle dhe duhej të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500 mijë euro.

I penduari ka treguar se e ka parë Doklen duke lëvizur me një makinë të blinduar pranë Liqenit Artificial. Sipas tij ai nuk ishte një objektiv i lehtë. Megjithatë ka treguar se nuk ka kryer asnjë veprim kundër tij, duke qenë se nga bisedat në telefon me Nuredin Dumanin kjo porosi kishte mbetur pezull. Ndërsa për arsyen se përse Ervis Martinaj e donte të vdekur Endrit Doklen, asnjëri prej bashkëpunëtorëve nuk kanë pasur dijeni. Megjithatë dyshimet lidhen me parandalimin e një hakmarrje të mundshme në lidhje me vrasjen e Xhelal Reçit.

Kjo ishte një ndër arsyet se përse Prokuroria kërkoi dëshmitë e Endrit Dokles, Gentjan Reçit dhe Fatjon Muratit në lidhje me atentatin e trefishtë ku u vra nipi i Ervis Martinajt, Brilanti. Prokuroria kishte dyshime në atë kohë se vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, mund të kishte lidhje me ekzekutimin e ish-Policit Xhelal Reçi, në Laç.

Në shtator të vitit të kaluar, Endrit Dokle është pyetur për masakrën e Fushë-Krujës. Ndërsa më vonë, kanë dhënë deklarime edhe Fatjon Murati dhe Gentjan Reçi. Grupi i hetimit nuk ka gjetur asnjë provë që t’i lidhë ata direkt apo indirekt me ngjarjen.

Por duket se atentatorët e së dielës mbrëma në Tiranë, nuk kanë pasur nevojë për prova. Të paktën jo për Fatjon Muratin. Pista kryesore e ngritur nga Prokuroria në lidhje me ngjarjen ku mbeti e vrarë gabimisht banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën 5 të afëtm të Muratit, është ajo e hakmarrjes.

Hetuesit thonë se po verifikojnë edhe pista të tjera, por ajo më e rëndësishmja lidhet me vrasjen e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës. Vetë Fatjon Murati ishte larguar nga Shqipëria ditën e ngjarjes. Nëse i frikësohej një atentati të mundshëm apo ishte thjeshtë një nga ato arratisjet e tij rutinë, ndonëse ishte në arrest shtëpie, këtë nuk mund ta themi.

Megjithatë, ajo që dihet me siguri është fakti se atentatorët, mbrëmjen e ngjarjes kanë synuar eleminimin e njërëzve të afërt të tij. Kjo shpjegohet me faktin se është qëlluar mbi 15 herë me breshëri nga dy armë kallashnikov, në drejtim të tavolinës ku ishin ulur njerëzit e afërm të Muratit.

Fatjon Murati banon 50 metra larg lokalit ku ndodhi ngjarja. Pesë ditë para ngjarjes është verfikuar nga shërbimet e Komisariatit nr.3, duke qenë se ishte në arrest shtëpie dhe ka rezultuar në banesë.

Ka dyshime se ditën e ngjarjes ai është larguar nga Shqipëria, fillimisht drejt Kosovës e më pas në Turqi. Ai ka udhëtuar ditën e djelë, që në zbatim të një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës, kufiri mund të kalohet pa u regjistruar nga njëra anë.

Ata që udhëtojnë drejt Kosovës regjistrohen vetëm në dalje nga ana e Policisë së Kosovës, ndërsa ata që vijnë në Shqipëri, regjistrohen në hyrje nga Policia shqiptare.

Por Policia thotë se, ndonëse ndaj Fatjon Muratit ka pasur një masë sigurimi “arrest shtëpie”, për aq kohë sa ai nuk është person në kërkim, kjo masë nuk shënohen në sistemin kufitar. Kjo shpjegon edhe faktin se përse ai nuk është ndaluar nga Policia e Kosovës.

MAKINA E DJEGUR

Tjetër element që e bën të ngjashëm atentatin e 12 marsit me atentate të tjera të ndodhura gjatë viteve 2022 e 2021, është mekanizmi i autorëve për të zhdukur provat.

Më datë 13 mars, grupi hetimor është rikthyer në vendngjarje ku ka gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Po më datë 13 mars, në orët e para të mëngjesit, në vendin e qujatur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, strukturat e Drejtorisë së Policisë Durrës, kanë konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor ka këqyrur automjetin e djegur dhe ka sekuestruar disa prova të vlefshme për hetimin. Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se mjeti tip BMW seria 5, me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14 mars 2021, në lagjen nr.13 Durrës.

Të gjitha provat metariale të sekuestruara në vendngjarje dhe në fshatin Likmetaj, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore ku po u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Ngjarja e së dielës ishte stuhia pas qetësisë 8 mujore. Shpresat për zbardhjen e saj janë të vakëta. Por në rast se zjarri nuk ka zhdukur çdo provë në makinë e në armët e krimit, grupi hetimor mund të ketë gjetur një çelës që do të zbardhë jo vetëm krimin e 12 marsit.

Hetuesit janë thuajse të bindur që kjo ngjarje është vazhdim i serialit të përgjakshëm që deri tani ka vrarë 13 persona. Serial që nga njëra anë ka pa pasur grupin e Ervis Martinajt dhe nga ana tjetër kanë qenë disa grupe të tjera.

Fatjon Murati, mund të ketë hesape pa mbyllur edhe me persona të tjerë, por duket se hesapet me grupin e Ervis Martinajt ishin ato që i rëndonin më shumë.

Ai e mori mesazhin të dielën mbrëma. Për Policinë dhe Prokurorinë mesazhi ishte i qartë dhe të gjithë të dhënat i çojnë në zonën e Kurbinit.

Por ajo që duket se është rishfaqur pas kaq kohësh, është përplasja mes grupeve kriminale. E bashkë me të duket se është rishfaqur edhe hija e Ervis Martinajt.

/Emisioni “Gjërat tona”

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

Si më le vetëm o vëllaçko?”, motra e Emilijanit në lot: Ma dogje zemrën!

Emiljan Pine është 37-vjeçari i vrarë mbrëmjen e kaluar...

Shtëpia molla e sherrit, korçari vrau 40-vjeçarin dhe më pas veten

Babai i autorit Ilo Lluka, i cili vrau mbrëmjen...

VIDEO/ Muçi driblon dy kundërshtarë dhe i jep mundësinë Rashicës për të shënuar, rasti i humbur nga sulmuesi shqiptar

Beshiktashi është gjysmëfinalisti i radhës në Kupën e Turqisë....

Sot i jepet lamtumira e fundit 26-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin tragjik në Prishtinë

Dy ditë më parë, një aksident i rëndë ka...