“Boci erdhi me ‘G-Class’, më kërcënuan se do më vrasin djalin”, zbardhet dëshmia e Eral Myftarajt

Date:

- Advertisement -

Një tender për lëndë drusore e Lali Lekut bëri që tre biznesmenë të përplaseshin me njëri-tjetrin dhe situata të shkonte deri te dërgimi i njerëzve me të shkuar kriminale dhe kërcënimet me vdekje. Është zbardhur së fundmi dëshmia e Eral Myftarajt, që çoi në arrestimin e Shaqir dhe Algert Alcanit, si dhe Edmir Bocit.

Në dëshminë e tij në prokurori, Myftaraj është shprehur se fillimisht Shaqiri dhe Algerti i kanë thënë të tërhiqet nga tenderi i fituar i Lali Lekut për furnizimin e shkollave me lëndë drusore. Pasi ai nuk ka pranuar të tërhiqet, ata i kanë dërguar “të fortë” për t’i kërcënuar.

Pas dy takimeve me Edmir Bocin dhe rezistencës së Myftarajt, ka ardhur telefonata nga Louis Konomi, i cili e ka kërcënuar se nëse nuk tërhiqet nga tenderi, do t’i vrasë djalin. Kujtojmë se Algert Alcani ishte punonjës i Bashkisë së Tiranës dhe kjo duket se e ndihmonte të bënte si “gango” për të kapur tendera.

“Unë kam ndjekur të gjitha procedurat për konkurrimin në këtë prokurim publik dhe jam shpallur fitues. Para se të shpallesha fitues, që kur mora pjesë në këtë prokurim publik më ka kontaktuar shtetasi Shaqir Alcani dhe djali i tij Algert Alcani, të cilët i njoh prej kohësh sepse kanë biznes në të njejtën fushë. Këta shtetas janë me origjinë nga Librazhdi dhe banues në Tiranë.

Shaqiri më ka kontaktuar nga numri 06……… ku me ka telefonuar dhe nga numri 06……….. në Ëhatsapp, kurse Algerti nga numri 06………. Ata më kanë telefonuar tek numri im 06………. dhe kemi shkëmbyer biseda me mesazhe edhe në Whatsapp. Kur aplikova në fillim, kam folur dhe jam takuar me këta shtetas dhe më kanë thënë që të tërhiqesha nga ky tender sepse donin ta fitonin ata.

Unë i thashë që nuk tërhiqesha dot, por të vazhdonte procedura e rregullt dhe ligjore dhe nëse fituese do shpallej kompania e Shaqirit unë nuk do ankohesha dhe le ta fitonin ata nëse i përmbushnin kushtet ligjore dhe e meritonin.

Më pas, pasi u shpalla fitues dhe konkretisht në datë 06.04.2023 më kontaktoi numri 06……….., i cili më është prezantuar si Edmir Boçi nga Manatia e Lezhës. Nuk e njihja këtë person dhe më tha që donte të më takonte.

E kam takuar në një lokal në zonën e Medresesë në Tiranë, rreth orës 21:00, dhe ky shtetas ishte së bashku me një shtetas tjetër, i cili u prezantua si Louis Konomi nga Burreli dhe as këtë nuk e njihja. Këta persona më thanë që vinin në emër të Shaqirit dhe Algertit dhe më thanë që të tërhiqesha nga prokurimi publik që unë kisha fituar.

Unë i thashë që nuk tërhiqesha dot, sepse kisha fituar dhe po ta bëja këtë do kishte penalitete kompania ime, sepse kështu është ligji. Këta dy shtetas po më bënin presion duke më thënë që do kisha problem me ta nëse nuk do tërhiqesha. I thashë që nuk tërhiqem dot dhe kështu u mbyll biseda mes nesh.

Më pas të nesërmen në datë 07.04.2023 rreth orës 22:00 më telefonoi Edmir Boçi dhe më kërkoi të takoheshim sërish. Jemi takuar tek një lokal në rrugën “Don Bosco” Tiranë dhe Edmiri ishte i vetëm. Ai erdhi me një makinë Benz G-Class i hirtë.

Jemi ulur aty në lokal dhe vazhdoi me të njëjtën bisedë ku më kërkonte të tërhiqesha nga tenderi. Unë sërish i thashë të njëjtën gjë që nuk tërhiqesha dot sepse do kisha penalitete financiare dhe juridike të firmës.

Pasi qëndruam gati 10 minuta, Edmiri u çua dhe iku. Pikërisht pasi Edmiri është çuar nga tavolina ku po bisedonim mua më ka telefonuar numri 06…………., i cili m’u prezantua me pseudonimin “Çupja”, dhe më pas mora vesh që quhej Louis Konomi nga Burreli.

Ky person më tha tekstualisht: “Me këtë që bëre që nuk u tërhoqe nga tenderi unë do të të vras djalin”. Pas këtij episodi kam komunikuar me Algertin dhe i thashë që do mbante përgjegjësi për këto kërcënime dhe njerëzit që më kishte futur dhe Algerti më tha që sa të ishte ai gjallë nuk lejonte që unë të tallesha me baban e tij.

Këtë bisedë e bëmë në Whatsapp dhe unë i kam bërë screenshot bisedave dhe jua vë në dispozicion”, mësohet të ketë thënë biznesmeni Eral Myftaraj para prokurorëve./joq

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related