VIDEO/ “Klubet janë të falimentuara në Shqipëri”, Rudi Vata: Djali nuk e ka zgjedhur ende kombëtaren

Date:

- Advertisement -

Rudi Vata, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, është i bindur se me mënyrën që është ndërtuar sistemi i futbollit në vendin tonë, klubet shqiptare janë të destinuar të falimentojnë. Duke folur për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, ai ka treguar edhe se si është situata me djalin e tij i cili përfaqëson Irlandën aktualisht me moshat, por edhe se çfarë pret nga kombëtarja shqiptare e futbollit nën drejtimin e Silvinjos.

VIDEO nga Intervista e Rudit

“E ndjek rregullisht futbollin shqiptar, kur je pjesë e futbollit, dhe kur ke qenë pjesë kur Zoti të ka lindur te ai vend, nuk ke si të mos kesh gjithmonë interesin me çfarë ndodh në vendin tënd e vendlindjen tënde. Futbolli është pjesë e rëndësishme e jetës time, prej tij janë bërë gjëra të mira për jetën time, nëpërmjet tij jam ndërtuar edhe unë si njeri. Futbolli shqiptar gjithmonë ka qenë në interesin tim dhe do të mbetet gjithmonë kështu.

Unë mendoj se kampionati shqiptar, për mendimin tim është një kampionat që luftohet për të arritur diçka, por të gjitha skuadrat në përgjithësi dalin të humbura, edhe pse fitojnë një Kupë a kampionat. Por unë shoh që klubet kanë mangësi të mëdha, të gjithanshme dhe mendoj se është ndërtuar një sistem që klubet duhet të falimentojnë. Në mënyrën se si funksionon sistemi i futbollit shqiptar, klubet janë përgjithësisht të falimentuara, dhe nuk mendoj se një klub do të jetë i suksesshëm në të gjitha drejtimet, nga shkolla e futbollit te rezultatet, Më i rëndësishëm është aspekti financiar i cili është thelbësor për një klub. Mendoj që klubet janë programuar nga sistemi për të falimentuar. Kur ke probleme financiare, sigurisht do të kesh probleme të ndryshme pastaj. Njerëzit për të arritur suksesin duhet të marrin vendime të gabuara të cilat i bien ndesh futbollit profesionist.

E para mungon disiplina. Në një vend të suksesshëm, gjithmonë ekziston disiplina dhe organizimi. Në Shqipëri, qoftë edhe shteti shqiptar është i paorganizuar. Kur ke një shtet të paorganizuar e padisiplinuar, sigurisht do të kesh edhe institucione të tilla, Ky është një vend historikisht diktatorial, në të gjitha institucionet ka mini-diktatorë që bëjnë rolin e të fortit, por nuk ia arrijnë qëllimit. Qëllimi është të rritësh njerëz me vlera, sportistët bëhen nëpërmjet punës e seriozitetit, jo nëpërmjet situatave nepotike, favoreve që u bëjnë. Këtu nuk flitet për program si të zhvillojnë djemtë e rinj, që ti bëjmë edhe njerëz të mirë. Çdo gjë matet gabimisht me lekun dhe ai është Zoti për të gjithë shqiptarët. Njerzit shkojnë te leku në mënyrën më të gabuar të mundshme, nëpërmjet futbollit synojë lekun, por për të arritur aty me futboll duhen programe të forta, njerëz seriozë, të përkushtuar e disiplinuar. Për fat të keq, shqiptarëve i mungojnë struktura të forta, është sistemi, ai të rregullon e shkatërron. Ai është i mirë për njerëzit që drejtojnë sistemin. Ai ka arritur të bindë lojtarët që jemi mirë se arrijnë të kapin diçka të vogël, por ata janë përgjithësisht të dështuar e trishtuar, nuk i pëlqen loja e sistemit, por janë të detyruar të jenë pjesë e tij.

Djali im nuk ka zgjedhur asnjë përfaqësuese se nuk është bërë lojtar që të jetë në një kombëtare. Sigurisht, në Shqipëri ka njerëz që thonë ‘Vata është tradhtar’. Ajo që të bën më shumë përshtypje është se ata që e kanë vjedhur më shumë, e kanë tradhtuar më shumë fanellën e shfrytëzuar më shumë, ato bëjnë moralistin që të vënë gishtin mbi mua. Ndërkohë unë as nuk kam kërkuar që të bëhet djali pjesë e një kombëtareje, as nuk kam marrë vendim. Unë i kam bërë shkallët e ngjitjes në karrierë normalisht e gradualisht, i kam kaluar të gjitha grupmoshat. Për t’i kaluar të gjitha, duhet kulturë pune e mentaliteti që i vogël. Ky të çon te qëllimi për të qenë lojtar i një kombëtareje të madhe. Ka shumë që arrijnë deri te U21, por finalen, pengesën e fundit, e kalojnë shumë pak. Përderisa nuk kemi mbërritur te ajo pengesë, është e kotë edhe të diskutohet. Për mua e rëndësishme është që djali ka bërë hapat e duhur, ka zhvillimin e duhur, është brenda pritshmërive. Ka punë për të bërë për të kaluar pengesën e fundi, për të qenë i vlefshëm për një kombëtare. Nëse vjen kjo ditë, sigurisht tavolina është aty për të diskutuar, se në jetë duhet të marrësh vendime të rëndësishme të cilat i shërbejnë njerëzve për vazhdimësinë e jetës. Nëse do të bëjmë muhabete si në Shqipëri që diskutohet në tavolinë e mbyllet aty, unë nuk jam prej këtyre. Unë jam për projekte serioze e qëllime serioze, nuk jam pjesë e matrapazëve, nuk shitem e blihem. Këtë mundohem t’ua transmetoj fëmijëve të mi, nuk është e lehtë të jesh baba që ke ambicie. Familja është e rëndësishme dhe kur ke fëmijë për të rritur është përgjegjësi e madhe. Kështu e kam ndërtuar familjen time, nëpërmjet ideve të mija. Janë situata që duhen menaxhuar me kujdes të fëmija, qëllimi është të kemi fëmijë të shëndetshëm fizikisht, psikologjikisht dhe moralisht.

Eksperienca e parë në Shqipëri, kur kisha një moment kur kisha energji për të kontribuar në futbollin shqiptar, kam ofruar vetveten time. Kam kuptuar se ka shumë diferenca sa i përket mentalitetit e kulturës. Unë produkt shqiptar, i lindur këtu, por 32 vite që kam kaluar jashtë, jam rritur shumë në të gjitha drejtimet, se të gjitha këto eksperienca më kanë ndihmuar të kuptoj se si funksionon jeta e gjërat normale. Kur je mësuar me gjërat normale e vjen në Shqipëri që të ndërtosh diçka, e ke një grup njerëzish kundër, e kë të pamundur se nuk gjen terrenin për t’u rritur.

Këta njerëz janë ata që nuk kanë dëshirë të punojnë se nëpërmjet punës arrihet çdo gjë, se për të ndërtuar një skuadër futbolli duhet të kesh njerëz të edukuar profesionalisht pikë së pari, njerëz që kanë përgjegjësi.

Unë jam bërë trajner i Vllaznisë në vitin 2011. Kam besuar shumë që atëherë që bashkia kishte interes maksimal që Vllazninë e Shkodrës ta çonte në nivelet që meriton. Unë u zhgënjeva se pashë njerëzit përgjegjës që nuk kishin të njëjtin interes, gjeta situata nepotike, situata me njerëz që nuk kishin vlera për Vllazninë e Shkodrës. Nëse dua të punoj, dua njerëz me karakter fitimtar, njerëz që nuk dorëzohen, kanë vlera njerëzore dhe që marrin përgjegjësitë, vendimet që marrin për fëmijët e dikujt tjetër, t’i mendojnë si për fëmijët e tyre. Por nuk e gjej këtë në Shqipëri. Ose mendojnë shkurt, ose janë dembelë. Nuk i del as energjia për të menduar, e as për të punuar.

Situata e Vllaznisë? Vllaznia është e dobët, shumë e dobët. Për momentin ka humbur kiminë e skuadrës Vllazni, kimia me tifozin është shumë e rëndësishme. Tifozi është shkëputur se është zhgënjyer prej lojtarëve. Lojtarët kanë një farë emri, paguhen shumë mirë, por produkti ka qenë shumë i keq, nuk ka arritur të marrë maksimumin e këtyre lojtarëve.

Ndryshimi i trajnerëve ishte shumë gabim,, nuk mendoj se kishte fajin trajneri. Josa ka qenë shumë i suksesshëm në kampionatin shqiptar, ka dalë edhe në grupe në Europë, ka fituar kampionate e Kupë e gjithçka. Ishte ai që e çoi në Europë duke fituar Kupën. Për mua ka qenë gabim dhe i nxituar. Nuk i bën vetëm Vllaznia, është i përgjithshëm në futbollin shqiptar, ndodh në çdo klub, i gjen pa fund këto probleme. Kjo vjen gjithmonë nga emocionet e pakontrolluara, reagimet e shpeshta, por çdo gjë duhet analizuar e menduar mirë kur merr një vendim. Të largosh një trajner nuk është si të largosh një punëtor krahu a fushe. Trajneri është shumë i rëndësishëm dhe të kesh parasysh që një trajner si Josa është një lloj Kapelo e Ançeloti në miniaturë për kampionatin shqiptar, ka fituar shumë e ka bërë gjëra shumë të mira në kampionatin shqiptar, nuk mund ta largosh në mënyrë të tillë se nuk ka sens. Trajnerët e suksesshëm nuk mund të largohen aq shpejt, me emra si Duro e Josa, ka humbur futbolli shqiptar. Edhe nga mënyra se si trajtohen trajnerët. E ndjej edhe trajtimin që u bëhet, nuk janë të lirë që nuk lejohen të marrin vendime të rëndësishme.

Këta trajnerë si Josa, Daja, Duro, Shehi janë trajnerë që normalisht edhe si futbollist e trajnerë kanë pasur një lloj suksesi. Nëse nuk i respekton, t’i dëgjosh fjalën e kuptosh, nëse nuk konsultohesh e vlerëson punën si trajner sigurisht nuk ke edhe si e respekton, unë mendoj se nuk janë të lirë. Siç nuk janë shqiptarët në përgjithësi të lirë, se Shqipëria nuk është vend i lirë, njerëzit në përgjithësi janë të nënshtruar.

Mua për vete politika nuk më intereson se të jetë politika e mirë e këtyre 32 viteve, do ta kishim vendin shumë mirë. Kaq sa është Shqipëria, me këto politikanë po të kishin vullnetin, do të kishim një Shqipëri shumë të mirë, futboll e siguri shumë më të mirë. Politika nuk do i kishte trajtuar njerëzit siç i ka trajtuar. Duke qenë politika e keqe, e kanë bërë vendin të pajetueshëm se njerëzit duan të largohen.

Vllaznia është e Shkodrës, e tifozëve, klub me traditë. Ata që e drejtojnë Vllazninë, duhet të respektojnë shumë historinë e saja, figurat serioze të futbollit shkodran, të bëjnë plane serioze se pa plane serioze nuk bëhet një Vllazni kampione që mungon prej dy dekadash.

Talente të larguara nga kampionati? Nuk e di sa janë larguar talentet, në çfarë tregu janë larguar? Këta janë lojtarë që klubet kanë përfituar nga transferimet e tyre, mendoj se në kampionatet ku kanë shkuar, në aspektin financiar jam i sigurt që diçka shumë më mirë e arrijnë. Por në aspektin profesional nuk mendoj se rriten. Unë do të preferoja, do të kisha menduar që talentet të largohen në kampionate si Austria, Zvicra apo Bundesliga 2. Në fillim vitet 90, kampionati shqiptar ka qenë i rëndësishëm për tregun grek, që kishin interes për të parë kampionatin shqiptar. Sot nuk ka që shkojnë në Greqi, duke qenë në kufi me Greqinë. Ky është një lloj problemi që ka nisur të lindë në dy dekadat e fundit, se në vitet ‘90, futbollistët shqiptarë kanë qenë shumë më të varfër, me më pak kushte kanë luajtur në Bundesligë, kampionatin francez, grek. Shumë kanë qenë në ekipe elitare në Greqi. Produkti nuk është i rëndësishëm, por të shohësh transferimin nuk kanë shkuar në liga elitarë, por diçka më të organizuar se kampionati shqiptar, por jo në nivele të jashtëzakonshme.

Dueli për titullin? Një derbi është 50 me 50. Sigurisht që Partizani ka qenë më i suksesshëm në derbit e fundit. Por Tirana me Shehin ka pasur një lloj vazhdimësie, është kampione në fuqi, është mundësia të jetë edhe kampione edhe fituese e Kupës, është ndër klubet më të qëndrueshme të dy sezoneve të fundit, ka justifikuar investimet. Partizani ka pasur një lloj ecurie të mirë, bëri 2-3 gabime që i kushtuan pozicionin, u largua, por tani është ngushtuar diferenca përsëri. Tani është lojë nervash, faktori tifoz është shumë i rëndësishëm, presion i madh mbi të dy ekipet.

I vogël kam qenë një periudhë kohë tifoz i Partizanit, se një prej idhujve të mi, Ferit Rragami, ka luajtur me Partizanin dhe kam mbështetur ekipet ku luante ai. Por për të mirën e dy klubeve, shpresoj që ta fitojë më i miri. Nuk jam tifoz i asnjërës prej tyre, primare kam Vllazninë. Te Tirana kam luajtur një gjysmë sezoni dhe ia kam kaluar shumë mirë, kam pasur komunikim shumë të mirë edhe me tifozët. Shpresoj të jetë një ndeshje fair play dhe një shfaqje e bukur për tifozët dhe që më e mira skuadër të fitojë kampionatin edhe pse jo, Tirana të fitojë Kupën.

Presion ndaj gjyqtarëve? Nuk është presioni që ndodh tani, se po të shohësh lajmet, gjithmonë ka probleme me gjyqtarët, as ata nuk janë të lirë, nën presion të jashtëzakonshëm. Shpeshherë të paragjykuar, kanë gabuar shpeshherë, kanë gabuar edhe me qëllim, ia kanë diktuar. Kjo është fatkeqësi se kështu nuk ndërtohet futboll i suksesshëm e elitar. E ndjej se janë të pafuqishëm, kanë në dorë fatet e ndeshjeve, por fatkeqësisht edhe manipulohen e pranojnë t’u diktohet diçka.

Pezullimi i Jorgjit? Çdo gjë që ndodh mendoj se efekti sistem është gjithmonë brenda. Diku janë prishur interesat. Enea Jorgji është ndërkombëtar, i rëndësishëm, ka një lloj personaliteti. Këtu i bëjnë të dijë që ‘ti je askushi nëse ti nuk dëgjon çfarë të themi ne të bëjmë’. E shoh si paralajmërim që ta nënshtrojnë, që ta mposhtin dhe ai bëhet lojtar i dëshirave dhe individëve që i intereson që të bëjë një lojë që nuk është futboll.

Kombëtarja? Me Silvinjon pat një energji të mirë, më pëlqeu mënyra se si u prezantua. Më pëlqeu puna si e ka bërë. Por trajneri matet me rezultate, i pari ka qenë negativ, jo pozitiv. Polonia ishte më e dobëta që mund të ndesheshim, se nuk ishte agresive. Ekipi kombëtar mendoj se nuk ka ndërtuar ende trendin e lojës së Shqipërisë. Do kohe të ndërtohet, duhet t’i jepet koha e mjaftueshme trajnerit, edhe ai me idetë e tija, energjinë që do të sjellë te skuadra, me mënyrën si ndërton grupin. Reja nuk kishte grup, një lloj kimie që duhet të ketë një ekip kombëtar siç është Shqipëria.

Që të dish deri ku mund ta çojë, sigurisht duhet kuptuar si do të përshtatet Silvinjo, a do kuptojë ai që shumë njerëz që ai do ti njohë me kohën, nuk arrijnë të përshtaten me idetë e tij? Ai ndoshta shumë gjëra nuk i ka kuptuar, por koha do i japë energji për të kuptuar se jush janë njerëzit. Ai ka CV, vizion e karrierë të jashtëzakonshme, eksperiencat e kanë bërë dhe i kanë dhënë mjaft njohuri për futbollin. Pyetja është a i ka parë shefat e vet sa janë të informuar për futbollin, idetë që kanë dhe a përputhe? I duhet kohë, ka premtuar rezultat dhe sigurisht është nën presion, se ka marr përsipër të bëjë gjëra të mëdha. Nuk mendoj se mund të bëjë gjëra të mëdha, duhet të rritemi e bëjmë progres, por duhet disiplinë e jashtëzakonshme e marrëdhënie e përgjithshme profesionale që të rritemi si skuadër. Për mendimin tim nuk jemi një skuadër solide, që krijon raste e dominon kundërshtarin. Nuk jemi efikas para portës e kemi shumë mangësi, nëse nuk shënon nuk mund të fitosh ndeshje. Edhe Broja që është kryesori që na çon te goli, i mungon prej muajsh ekipit. Uzuni është shumë i rëndësishëm, Cikalleshi është me eksperiencë që mund të ndihmojë. Në mbrojtje kemi boshllëk me Kumbullën i cili do të lërë një gropë që kush mund ta zëvendësojë. Është kombëtare pak e sakatuar, e plagosur. Silvinjo është faktori dhe ai duhet ë gjejë solucionet e duhura që të na japë një kombëtare që na jep shpresë. Kur të shohim një lojë që na kënaq, mund të kemi shpresë për të shkuar sa më lart.

Unë jam produkt i Shqipërisë dhe sinqerisht unë e ndjej veten i tillë. Mendoj se çdo njeri që lind në një vend, mendoj se aty ku ka lindur, aty ka ndjenjën më të mirë, se energjia që merr nga toka ku ka lindur, është më e nevojshmja për njeriun. Unë në Shkodër ndjehem me mirë se në Paris e Londër, se është energjia që kam marrë të parën, energjia e tillë më bënë më të lumtur se kudo. Unë në Shqipëri jam në dispozicion të Shqipërisë 24 orë në 24, Por në dispozicion të atyre që kanë qëllime antishqiptare jo, nuk jam kurrë në dispozicion”, tha ndër të tjera Vata.

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

“Më ngacmonte gruan”, ja kush është autori i vrasjes në Durrës, hodhi nga ura shokun pas sherrit

Ky është Majlind Habibi, personi që akuzohet se vrau...

Pushimet e luksit të Asanit me të dashurën në Dubai, dedikimet romantike

Jasir Asani po shijon një periudhë të mirë si...

“Nuk e dëmtoi me dashje”, Sivasspor merr në mbrojtje Rey Manajn: Të ndalen kërcënimet

Rey Manaj është një nga lojtarët më të përfolur...