Shqipëria e EURO16 VS Shqipëria e EURO24/ Kush është ekipi më i mirë, i De Biazit apo i Silvinjos? Krahasimi!

Date:

- Advertisement -

Shqipëria ka arritur për herë të dytë në historinë e saj në Europian. Nëse shohim vitet e fundit, kuqezinjtë kanë mbërritur 2 herë në Europian në 8 vitet e fundit dhe kjo statistikë, është padyshim fantastike dhe që i përket Kombëtareve me peshë në arenën e futbollit. Sigurisht që kualifikimi me Silvinjon ka ardhur ndryshe nga ai i 2016, por për faktin se e kemi provuar njëherë shijen e Europianit, tani ëndrra më e madhe është Botërori, ku nuk kemi arritur asnjëherë më parë dhe ndoshta shija e Gjermanisë, nuk e ka vlerën maksimale.

“Fajtorët” për këtë, janë djemtë që na dërguan në Europianin e 2016 dhe që morën pasaporta diplomatike nga shteti shqiptar. Sapo ata nisën disa rezultate negative, shteti ia hoqi, por kjo është një tjetër histori. Sigurisht që ne duhet të jemi mirënjohës për t’i dhënë të gjitha falënderimet dhe mirënjohje atyre futbollistëve dhe De Biazit, që na dërguan në Europianin e 2016. Por sa ndryshime kanë këto dy ekipe?

Ndryshimi i parë është objektivi. Në vitin 2016 kemi shkuar thjeshtë për të provuar ndeshjet e Europianit. Këtë herë, pavarësisht se jemi në një grup të tmerrshëm me rivalë si Italia, Kroacia dhe Spanja, disa analistë futbolli do ta quajnë dështim nëse Kombëtarja nuk kalon grupin. Sado çmenduri duket, por koha do ta provojë, megjithëse ne urojmë që kurrë të mos ndodhë kjo dhe Shqipëria të kalojë më tej.

Një tjetër ndryshim është besimi te ekipi. Nëse në 2016 ne kemi shkuar edhe me një kombinim të fatit që të na dërgonte në Francë, edhe me duele gjyqësore të fituara nga FSHF, këtë herë Silvinjo nuk i la asgjë rastësisë, përtej faktit që ky trajner është supersticioz dhe beson shumë në Zot. Fatin e kemi pasur sërish me vete, por jo aq sa në kohën e De Biazit ku edhe Danimarka u ndal me Armeninë, që nëse do të kishte fituar, do të kishte përfunduar ndryshe historia jonë, pa futur këtu edhe detaje të tjera. Këtë herë jo vetëm që ia dolëm, por morëm vendin e parë në një grup kualifikues ku si kundërshtar kishim Poloninë dhe Cekinë.

Nëse më herët rivalëve të tillë mund t’i merrnim nga një barazim ose në rastin më ekstrem, të fitonim nga ndonjë gol kuturu, si në rastin e golit të Lenjanit kundër Danimarkës, këtë herë fitoret janë të pastra, me nga 2 gola diferencë të paktën.

Mbrojtja ishte një pikë e fortë për De Biazin, mbetet një pikë e fortë edhe për Silvinjon. Por fantazia e madhe në mesfushë dhe sulm, është dukshëm më e madhe. Këtë e tregojnë më së miri edhe golat spektakolar që janë realizuar, aq sa herë kemi kandiduar plot 5 herë për golin më të bukur në UEFA dhe e kemi fituar 3 herë këtë çmim.

Një Shqipëri me natyrë braziliane, dukshëm më e bukur sesa katenaco e pastër italiane. Dhe tifozët janë më të shumtë në stadium, aq sa mbushën stadiumin përplot në Air Albania dhe në një ndeshje kundër Andorrës. Pra Silvinjo ka ditur që të afrojë më shumë afër vetes njerëzit dhe mbi të gjitha, e arriti gjithë këtë sukses të madh që në edicionin e tij të parë me Shqipërinë.

De Biazi ishte një trajner që e shiste veten më mirë, pasi kapi pikën e dobët të shqiptarëve, e shihje shpesh duke pozuar me qeleshe apo me veshjet popullore shqiptare. Nga krahu tjetër, Silvinjo e di rrugën e tij në të ardhmen dhe ka një tjetër natyrë, nuk e tepron.

Në Euro16, Shqipëria shënonte 10 gola dhe pësonte 5, ndërsa në Euro24, Shqipëria ka shënuar 12 gola dhe ka pësuar vetëm 4. Sigurisht, më kryesorja është fakti që lojtarët tanë tanimë janë yje në futbollin e Europës krahasimisht me lojtarët që ka pasur De Biazi, të paktën sa i përket klubeve ku luajnë.

De Biazi gjeti disa lojtarë që nuk i njihnin as gazetarët, përshembull, Berishën e shpiku dhe e gjeti nga një vend si Kalmari që njihej vetëm për peshkim, më pak për futboll. Ndërkohë Silvinjo ka më shumë luks në zgjedhje, megjithëse kemi pasur po këta lojtarë në të kaluarën dhe nuk kemi pasur sukses. Edhe Silvinjo kishte gjetjet e tij, Asani dhe Mitaj, pa harruar transformimet e shumë futbollistëve si Asllani apo Bajrami. Por le të marrim formacionin kryesor të përdorur në kualifikuese për të dy ekipet.

Etrit Berisha, titullar i projektuar në Euro24 dhe titullar në Europianin e luajtur në Francë. Sigurisht që në periudhën e tij te Lacio, Berisha ishte më i ri dhe kishte më shumë garanci në portë. Por edhe në këtë moment, mes zgjedhjeve të pakta që ka Silvinjo, Berisha fiton vendin falë eksperiencës së madhe. Aktualisht pjesë e Empolit, por nuk është përdorur prej një kohë të gjatë. Berisha duket në të njëjtin nivel si në Europianin e shkuar, ndoshta ka humbur freskinë e dikurshme, por portieri është një rol që me eksperiencë, përfiton edhe më shumë.

Elseid Hysaj, dikur pjesë e Napolit dhe tani pjesë e Lacios. Por në Europianin e Francës, shkodrani ishte në kulmin e tij. Tani shpesh vendoset në qendër të kritikave nga tifozët për disa gabime apo nënvlerësime të tij në disa momente, që gjithmonë sjellin rrezik të madh te porta jonë. Hysaj i 2016 ishte shumë i mirë sesa ky aktuali, të paktën deri tani. Urojmë që të na befasojë në Gjermani.

Lorik Cana ishte mbrojtësi i përdorur në 2016 dhe Berat Gjimshiti i përdorur në 2024. I pari ishte pjesë e Nantes, ndërsa i dyti, pjesë e Atalantës dhe që fiton Europa League me shiritin e kapitenit. Sigurisht që Cana ishte një lider i madh dhe është quajtur kapiteni i përjetëshëm i Kombëtares, por në aspektin cilësor, Gjimshiti është më i pagabueshëm.

Mavraj dhe Ardian Ismajli, i pari luante te Këln dhe Ismajli titullar i padiskutueshëm në Serinë A te Empoli. Kanë të njëjtën siguri, nuk duhet harruar se Mavraj ishte një digë e fortë para mbrojtjes te Shqipëria. Por edhe Ismajli nuk shihet kurrë duke bërë një gafë në Kombëtare, luan në Serinë A, një shkollë mbrojtje.

Agolli dhe Mitaj, një krahasim mes dy tipesh lojtarëve që në fakt, nuk është se kanë edhe shumë për t’u krahasuar. I pari te Qarabag, i dyti te Lokomotiva e Moskës. Pika më e fortë e Agollit ishte krosimi në zonë, por nuk kishte aftësi dribluese te kundërshtarët dhe shpesh e kthente topin mbrapa si zgjidhje e vetme. Mitaj është në nivelin tjetër, Super Mario kërkon vetëm topin në këmbë dhe pjesa tjetër është një histori. Për t’u perfeksionuar, duhej edhe një gol i shënuar nga distanca, që ndoshta, ka shanse të vijë në Gjermani.

Abrashi-Kukeli-Xhaka dhe Asllani-Ramadani-Bajrami. Në natyrë, tre futbollistët e kohës së De Biazit ishin vetëm shkatërrues, i vetmi që mund të guxonte me driblime ishte Taulant Xhaka. Abrashi te Freiburg, Kukeli te Zurich dhe Xhaka te Baseli. Ndërkohë treshja e Serisë A i përket ekipeve si Inter, Lecce dhe Sasuolo. Ndryshe nga koha e De Biazit, është vetëm Ramadani që ka natyrë shkatërruese dhe më pak atë ndërtuese. Asllani prodhon magji nga këmbët e tij me vertikalizimet brilante dhe super golat e realizuar nga distanca, sic e provoi kundër Ishujve Faroe. Pastaj është Nedim Bajrami, është lojtari që nuk e kemi pasur kurrë më herët. Në aspekt cilësor, kjo mesfushë, është e një tjetër niveli për të rrezikuar kundërshtarin.

Odise Roshi dhe Jasir Asani, i pari te Terek Grozny dhe i dyti te Gëangju. Të dy jo në shumë ekipe të mira, por që ngrenë në peshë tifozët. Roshi ishte padyshim për t’u duartrokitur, në atë kohë i vetmi lojtar që kishte guxim të driblonte këdo që i dilte para. Por në ndryshim nga Asani, nuk kishte nuhatje me portën. Jasiri nuk di të shënojë gola normal, ka realizuar 4 cmenduri, ishte lojtari që ka dhënë më shumë kontribut për fitoret e Shqipërisë në kualifikueset e Europianit dhe mbi të gjitha, të zgjidh një ndeshje nga hiçi, duke sajuar gola.

Lenjani dhe Seferi. I pari te Nantes dhe i dyti te Banyias, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nuk ka shumë ndryshime mes tyre, e kanë në aftësi driblimin dhe mund të arrijnë te goli. Janë futbollistë që punojnë shumë për skuadrën dhe shërbejnë për shokët e ekipit.

Armando Sadiku dhe Armando Broja. Në këtë krahasim po përdorim Brojën si lojtari që pritet titullar, pasi Cikalleshi i përdorur më herët, është lënë jashtë listës së Europianit. Është një krahasim i vështirë, pasi nëse flasim për klube dhe cilësisht, i pari luante te Zurich dhe tjetri te Chelsea. Nëse flasim për cilësi, është një sulmues i Shqipërisë mbi mesatare karshi lojtarit më të mirë të historisë së Shqipërisë. Pastaj nëse flasim për Kombëtaren, Sadiku ka bërë shumë më tepër se Broja, mbi të gjitha, ka shënuar golin e vetëm në historinë tonë në Europian. Por po, diferenca e tyre është shumë e frikshme, Broja mund të marrë zvarrë këdo kundërshtarë dhe të zgjidh ndeshjen i vetëm, fundja është pjesë e Chelsea. /Sport Ekspres/

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

Mund t’i bashkohet Kombëtares, Bayern Munich “mesazh” PUBLIK sulmuesit shqiptar

Dita e sotme është shumë e veçantë për një...

Aksidenti tragjik në Pogradec, ky është 33-vjeçari që humbi jetën

Martin Kastrioti, 33 vjeç humbi jetën ditën e sotme...

“Më ngacmonte gruan”, ja kush është autori i vrasjes në Durrës, hodhi nga ura shokun pas sherrit

Ky është Majlind Habibi, personi që akuzohet se vrau...